Ndërlidhjet

Trump: NATO të fokusohet në shpenzime, terrorizëm, imigrim dhe kërcënimin rus


Donald Trump duke folur sot në takimin me liderët e vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel
Donald Trump duke folur sot në takimin me liderët e vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel

Presidenti amerikan, Donald Trump, sot ka kërkuar nga liderët e 27 vendeve të tjera të NATO-s, që të bëjnë më tepër në luftimin e terrorizmit, ndërsa imigrimin dhe kërcënimin nga Rusia, t’i vendosin lartë në agjendën e tyre.

“NATO-ja e së ardhmes duhet të përfshijë fokus të madh në terrorizëm dhe imigrim dhe, po ashtu, në kërcënimet nga Rusia dhe kufijt lindor dhe jugor të NATO-s”, u tha Trump liderëve të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.

Donad Trump, i cili njëherë e kishte karakterizuar NATO-n si “të vjetruar”, po ashtu, e ka përsëritur kërkesën e tij që vendet anëtare të bëjnë “kontribute të tyre të plota dhe komplete” për aleancë, duke i rritur shpenzimet e tyre për mbrojtje.

“Kjo nuk është korrekte për njerëzit dhe taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara”, tha presidenti Trump, dhe ka shtuar se “nëse vendet e NATO-s i bëjnë kontribuetet e tyre të plota dhe komplete, atëherë NATO-ja do të jetë edhe më e fuqishme se sa është sot, veçanërisht nga kërcënimi i terrorizmit”.

Vendet anëtare të NATO-s në të kaluarën patën shprehur përkushtim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 2% të GDP-së së tyre deri në vitin 2024.

Aktualisht, vetëm Britania, Estonia, Greqia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë arritur këtë nivel të shpenzimeve.

Presidenti Trump nuk e ka përmendur fare Artikullin 5 të marrëveshjes së NATO-s për mbrojtje reciproke, ku theksohet se sulmi kundër një vendi anëtar, paraqet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

I pyetur për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për Artikullin 5, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se “ai shkon pa u përmendur” dhe se “prania e Trumpit në këtë ngjarje i thekson përkushtimet tona për obligimet e marrëveshjes”.

XS
SM
MD
LG