Ndërlidhjet

Sulmohet me çekiç një oficer policor në Paris


Pamje nga hyrja në katedralen në Notre-Dame, Paris

Autoritetet franceze kanë thënë se, një person është qëlluar pasi ka sulmuar një oficer policor me çekiç, jashtë katedrales së Notre Dame në Paris.

Autoritetet kanë thënë se situata është nën kontroll dhe se sulmuesi është dërguar në spital, derisa oficeri ka pësuar vetëm lëndime të lehta.

Pas incidentit, policia e armatosur e ka mbyllur zonën përpara katedrales.

Ministri i Brendshëm francez Gerard Collomb, ka thënë se sulmuesi mbante një dokument, si student algjerian. Ai ishte i pajisur me një çekiç dhe thika.

Collomb u ka thënë gazetarëve se autoritetet besojnë se sulmuesi ka vepruar i vetëm dhe gjatë incidentit ka bërtitur "Kjo është për Sirinë!".

Incidenti vjen vetëm tri ditë pasi militantët islamikë vranë shtatë njerëz në Londër në një sulm me kamion dhe thika.

Policia u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë larg zonës, duke shkruar në Twitter, se një operacion është duke u zhvilluar në sheshin përpara katedrales. Televizioni francez ka njoftuar se shumë turistë kanë qenë në panikë gjatë asaj kohe, duke kërkuar mbrojtje.

Franca është nën një gjendje të jashtëzakonshme, pas një sërë sulmesh terroriste që kanë ndodhur në vitin 2015 dhe 2016. Këto sulme që pretendohet se janë kryer kryesisht nga grupi ekstremist Shteti Islamik, kanë lënë të vdekur mbi 230 njerëz.

XS
SM
MD
LG