Ndërlidhjet

Presidenti i Komisionit Evropian nuk ka smartfon


Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, pranoi se nuk ka smartfon ("telefon të mençur").

"Nuk duhet ta them, por po e them - unë ende nuk kam smartfon", tha Juncker, 62 vjeç.

Ai i bëri komentet në një konferencë për media në Bruksel, së bashku me kryeministrin e Estonisë, Juri Ratas, vendi i të cilit nga 1 korriku merr presidencën e radhës së BE-së.

Juncker, duke bërë shaka, tha se Ratas i ka dërguar ftesë për të shkuar në Talin në formë të kartolinës, "sikurse në shekullin 19".

Burime në BE thonë se Juncker ka një celular të vjetër Nokia.

Juncker është ish-kryeministër i Luksemburgut, por tha se me tendendat e tij teknikofobe "nuk do të mund të bëhej kryeministër i Estonisë".

Estonia është një nga vendet më digjitale në botë dhe vendi i parë që ka prezantuar votimin në internet.

Megjithatë, Juncker nuk është zyrtari i parë i lartë që i reziston teknologjisë së avancuar.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është në pushtet që nga viti 2005, nuk ka ende llogari në Twitter.

XS
SM
MD
LG