Liderët botërorë kanë marrë pjesë në një ceremoni në Parlamentin Evropian në Strasburg, për ta përkujtuar jetën dhe veprën e ish-kancelarit të Gjermanisë, Helmut Kohl, që ishte edhe arkitekti kryesor i ribashkimit të Gjermanisë.
Helmut Kohl, që vdiq më 16 qershor në moshën 87 vjeçare, është personi i parë që nderohet me një ceremoni zyrtare të organizuar nga Bashkimi Evropian.
Gjatë periudhës 16 vjeçare si lider i Gjermanisë, nga viti 1982 e deri në vitin 1998, i ndjeri Kohl ishte forcë lëvizëse madhore për integrim më të afërt evropian.
“Helmut Kohl ishte evropian i vërtetë dhe mik dhe Evropa i ka shumë borxh atij”, tha presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i vetmi lider aktual i BE-së, që ka punuar me të ndjerin Kohl.
Zoti Juncker tha se vetë zoti Kohl kishte zgjedhur që ceremonia për vdekjen e tij të mbahej në selinë e Parlamentit Evropian në Strasburg të Francës, afër kufirit me Gjermaninë.
Në këtë ceremoni kanë folur edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, presidenti i Francës, Emanuel Macron, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-presidenti i Spanjës, Felipe Gonzales, dhe kryeministri i Rusisë, Dmitry Medvedev.