Ndërlidhjet

Gorbachev: Duhet të rikthehet besimi mes SHBA-së dhe Rusisë


Rusi, Mikhail Gorbachev

Mikhail Gorbachev i ka bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin që të rikthejnë besimin në mes të këtyre dy vendeve.

Gorbachev i ka thënë agjencisë shtetërore ruse të lajmeve, RIA Novosti, se “ pas të gjithave, është mirë që takimi do të ndodhë, mirëpo është për keqardhje që është dashur të pritet deri tash”.

“Ata duhet të rikthejnë besimin. Deri tash këto vende nuk kanë një agjendë të përbashkët konstruktive”, ka thënë ai.

Trump dhe Putin do të takohen më 7 korrik në Hamburg të Gjermanisë, në margjina të samitit G20.

“Neve tani na duhet një shtytje, sikur ajo e vitit 1986 në Rejkjavik”, ka thënë Gorbachev. “Duhet me domosdo të negociojmë për gjithçka, në mënyrë që të zhvillojmë një mekanizëm për ndërveprim, jo vetëm për probleme speficike, por për të gjitha”.

Aktualisht janë disa çështje, për të cilat SHBA-ja dhe Rusia kanë qëndrime të ndryshme, ndonëse presidenti Trump, ka thënë të ketë vullnet për krijimin e marrëdhënieve më të mira.

Disa agjenci amerikane supozojnë, se Rusia nën urdhërat e Putinit ka ndikuar në fushatën presidenciale në SHBA, për të rritur gjasat që Trump të fitojë zgjedhjet. Kremlini i mohon këto akuza.

Po ashtu, SHBA-ja së bashku me aleatët e saj i kanë vënë sanksione Moskës për aneksim të paligjshëm të Krimesë dhe mbështetjen e separatistëvë në lindje të Ukrainës.

Të dyja palët kanë qëndrime të ndryshme edhe rreth cështjeve në Siri dhe në Korenë Veriore.

XS
SM
MD
LG