Ndërlidhjet

Izraeli i heq detektorët e sigurisë nga kompleksi i shenjtë


Hyrja në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit Lindor.

Udhëheqësit myslimanë kanë ndaluar bojkotimin e një vendi të shenjtë në Jerusalemin Lindor, pasi Izraeli ka hequr detektorët e fundit të sigurisë që kanë çuar në trazira.

Ata u kanë bërë thirrje palestinezëve të rihyjnë në kompleks, për herë të parë prejse ka shpërthyer kriza dy javë më parë.

Mbetjet e fundit të aparateve të instaluara të sigurisë janë hequr të enjten.

Palestinezët kanë kundërshtuar ashpër masat e ndërmarra, pas vrasjes së dy policëve izraelitë më 14 korrik.

Ata kanë refuzuar të hyjnë në kompleksin e Qytetit të Vjetër, që për myslimanët njihet si Haram al-Sharif, ndërsa për hebrenjtë si Mali i Tempullit, në shenjë proteste për, siç kanë thënë, përpjekjet e Izraelit për të marrë kontrollin e lokacionit të kontestuar.

Gjatë dy javëve të kaluara, palestinezët janë falur në rrugë, jashtë mureve të Qytetit të Vjetër.

Tre izraelitë dhe katër palestinezë kanë vdekur nga dhuna midis forcave izraelite të sigurisë dhe protestuesve.

Autoritetet izraelite kanë thënë se detektorët metalikë do të zëvendësohen me metoda më pak të dukshme të mbikëqyrjes.

Sipas tyre, siguria e tillë është e nevojshme sepse armët që janë përdorur për të vrarë policët, janë kontrabanduar në kompleks.

XS
SM
MD
LG