Ndërlidhjet

Rusi: Aktivisti opozitar Udaltsov u lirua nga burgu


Sergei Udaltsov

Sergei Udaltsov, aktivist i njohur opozitar rus, i burgosur në maj të vitit 2012, për shkak të protestës kundër presidentit, Vladimir Putin, është liruar nga burgu, pasi i ka vuajtur 4 vjet e gjysmë.

Udaltsov është liruar sot nga burgu në rajonin Tambov, në juglindje të Moskës, ka shkruar në rrjetin Facebook bashkëshortja e tij, Anastasia Udalstsova.

Udaltsov, lider i grupit opozitar, Levy Front (Fronti i Majtë) ishte vënë nën arrest shtëpiak disa muaj pas protestës në Sheshin Bolotnaja në Moskë, më 6 maj të vitit 2012, një ditë para se Putini të inaugurohej për mandatin e tretë presidencial.

Në korrik të vitit 2014, Udaltsov ishte dënuar për organzim të siç thuhej “çrregullimit masiv” lidhur me protestën, që kulmoi me dhunë, për të cilën demonstruesit dhe policia ishin fajësuar në mënyrë reciproke.

Më se 400 vetë ishin arrestuar lidhur me këtë protestë, që ishte pjesë e demonstratave për shkak të zemërimit të rusëve lidhur me dëshmitë për vjedhje të gjëra në zgjedhjet parlamentare në dhjetor të vitit 2011 dhe të frikësuar nga kthimi i Putinit në presidencë, pasi i kishte kaluar katër vjet në postin e kryeministrit.

Më se 30 vetë ishin akuzuar, në atë që njihet si Rasti Bolotnaja, ndërsa më tepër se 20 vetë ishin dënuar me burg ose kishin qëndruar në paraburgim.

Kundërshtarët e Kremlinit dhe aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se këto dënime ishin pjesë e fushatës së Kremlinit për t’i heshtur ata që mendojnë ndryshe dhe për t’i shtypur protesuesit gjatë mandatit aktual të presidentit Putin. Këta kundërshtarë vlerësojnë se protestuesit ishin provokuar dhe se pretendimet e shtetit për dhunë ishin tejet të zmadhuara.

XS
SM
MD
LG