Ndërlidhjet

Iraku kërkon hetimin e "krimeve kundër njerëzimit" të IS-it


Zyrtarë afganë dhe personeli i forenzikës duke kërkuar në një zonë irakiane që besohej të ishte varrezë masive. Irak, foto nga arkivi

Iraku u ka kërkuar ndihmë Kombeve të Bashkuara për të bërë hetime rreth “krimeve kundër njerëzimit”, të kryera nga grupi ekstremist, Shteti Islamik.

Në një letër të publikuar nga ministri i Jashtëm i Irakut, Ibrahim al-Jafaari, thuhet se forcat qeveritare, që kanë çliruar Mosulin nga kontrolli i Shtetit Islamik, kanë gjetur fakte të krimeve, duke përfshirë vrasjet masive, skllavërinë seksuale dhe shkatërrimin e pasurisë arkeologjike.

Ai ka thënë se Britania e Madhe është duke ndihmuar në krijimin e një rezolute, e cila më pas mund të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, për të nisur një hetim ndërkombëtar.

Zëvendësambasadori i Britanisë, Jonathan Allen, i ka konfirmuar përpjekjet, duke thënë se qëllimi i tyre është “zhdukja e çdo vendi, ku mund të fshihet Shteti Islamik”.

Ambasadori rus, në OKB, Vassily Nebenzia, ka thënë se Moska do ta mbështesë rezolutën.

Avokatja britanike për të drejtat e njeriut, Amal Clooney, e cila ka mbrojtur minoritetin jazidi në Irak, pas vrasjeve masive dhe skllavërisë seksuale nga Shteti Islamik, ka përshëndetur një hap të tillë.

“Jazidët dhe viktimat e tjera të Shtetit Islamik duan drejtësi nga gjykata dhe ata nuk meritojnë asgjë më pak”, ka thënë ajo.

“Shpresoj që letra e qeverisë irakiane do të shënojë fillimin e dhënies fund të mosndëshkimit të gjenocidit dhe krimeve të tjera që po kryen Shteti Islamik në Irak dhe vende të tjera në botë”, ka shtuar tutje Clooney.

XS
SM
MD
LG