Ndërlidhjet

Uragani Irma pritet të godasë Floridën


Uragani Irma në Puerto Riko
Uragani Irma në Puerto Riko

Uragani Irma është nisur drejt Haitit dhe Republikës Domenikiane, pasi ka vrarë së paku dhjetë veta në ishujt Karaibe, ndërsa ka goditur Puerto Rikon me erëra dhe shira të furishëm.

Shteti i Floridës, ndërkaq, duhet të përgatitet për goditje direkte në zonën e Majamit në ditët në vijim.

Parashikuesit e motit e kanë përshkruar Irmën si stuhi “potencialisht katastrofike”, e kategorisë 5, që është klasifikimi më i lartë në SHBA për uragane.

Ministri i Brendshëm i Francës, Gerard Collomb, tha se tetë njerëz janë vrarë në territorin francez të Shën Martinit.

“Është fatkeqësi e madhe; 95 përqind e ishullit është shkatërruar”, tha Daniel Gibbs, kryetar i këshillit lokal në Shën Martin.

Stuhia pritet të godasë Floridën më 10 shtator. Ekspertët druajnë se ajo mund të përfshijë gjithë bregun e saj lindor dhe të lëvizë kah Xhorxhia dhe Karolinet.

Guvernatori i Floridës, Rick Scott, kërkoi njerëz vullnetarë që do të ndihmonin banorët.

“Kemi pasur mbi 4,000 vullnetarë të regjistruar në më pak se 24 orë. Kjo përfshin mbi 700 punonjës shtetërorë. Kjo është e jashtëzakonshme, por na duhen edhe të tjerë”, tha guvernatori Scott.

Gati dy javë më parë, uragani Harvey ka goditur shtetin e Teksasit, duke shkaktuar viktima dhe përmbytje të mëdha sidomos në qytetin Hjuston.

XS
SM
MD
LG