Ndërlidhjet

Koreja e Veriut pritet të dominojë debatin vjetor në OKB


Selia e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Udhëheqësit botërorë mblidhen sot në Nju Jork, ku nis punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

Pjesa më e madhe e vëmendjes do të jetë te presidenti amerikan, Donald Trump, i cili do t’i adresohet këtij tubimi për herë të parë më 19 shtator.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, do të ketë po ashtu paraqitjen e parë si udhëheqës kombëtar.

Në mesin e atyre që nuk do të marrin pjesë janë presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Të dy kanë dërguar ministrat e tyre të jashtëm.

Udhëheqësit pritet të përqendrohen në disa nga pikat më të nxehta në botë, ku prioritet përbën Koreja e Veriut me programet e saj me raketa bërthamore dhe balistike.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dhe gati të gjitha shtetet individuale kanë dënuar provat raketore të Phenjanit. E fundit ka ndodhur më 15 shtator, kur Koreja e Veriut ka hedhur një raketë balistike që ka fluturuar mbi Japoni.

Këshilli i Sigurimit e ka cilësuar këtë si veprim “shumë provokues” dhe “të egër”. Megjithatë, nuk ka ende pajtim se si duhet ndëshkuar Phenjanin.

Udhëheqësit botërorë përballen po ashtu me krizën humanitare të mbi 400,000 myslimanëve Rohingya, të cilët kanë ikur nga dhuna në Mianmar dhe kanë hyrë në Bangladesh.

Terrorizmi dhe ngrohja globale pritet të jenë po ashtu subjekt i diskutimeve të nxehta dhe mosmarrëveshjeve midis liderëve botërorë.

Në të kaluarën, Trump ka qenë kritik i zëshëm i Kombeve të Bashkuara dhe ndihmësit e tij thonë se ai do të bëjë thirrje për “reformim të OKB-së”, duke iu kërkuar anëtarëve të kontribuojnë më shumë në projekte globale, përfshirë operacionet paqeruajtëse, të cilat kushtojnë rreth 8 miliardë dollarë në vit.

Jon B. Alterman, nënpresident i Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, i ka thënë gazetës “The New York Times” se “bota po bën ende përpjekje të krijojë opinionin rreth këtij presidenti”.

“Për një numër udhëheqësish, ky do të jetë rasti i tyre i parë për të parë atë, për ta gjykuar dhe për të bërë përpjekje për t’i gjetur anën e mirë”, ka thënë Alterman.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara i zhvillon punimet deri më 25 shtator.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG