Ndërlidhjet

Zyrtarët e lartë amerikanë dhe të NATO-s në vizitë në Kabul


Jim Mattis (majtas) dhe Jens Stoltenberg
Jim Mattis (majtas) dhe Jens Stoltenberg

Sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kanë arritur sot në Afganistan, në një vizitë befasuese, ka njoftuar zëdhënësi i misionit të NATO-s në Kabul, William Salvin.

Mattis dhe Stoltenberg do të takohen me presidentin afgan, Ashraf Ghani, me komandantët dhe ushtarët amerikanë dhe me misionin e aleancës veriatlantike për trajnimin e forcave afgane.

Zëdhënësi Salvin tha, po ashtu, se të dy zyrtarët e lartë perëndimorë, do të kenë takime në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kabul dhe do ta kenë një konferencë për gazetarë së bashku me presidentin Ghani.

Temë e takimeve me gjasë do të jetë implementimi i strategjisë së re amerikane – afgane, të cilën presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka shpallur muajin e kaluar.

Sipas planit të Trumpit, Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë më se 3 mijë ushtarë shtesë në Afganistan, ndërsa atje tashmë gjenden 11 mijë trupa amerikane, që i stërvisin dhe këshillojnë forcat e sigurisë së Afganistanit.

Por, kritikët kanë shprehur dyshime për këtë plan, pasi sipas tyre, forcat aktuale dhe ato shtesë amerikane nuk do të mund ta arrijnë atë që nuk është realizuar as me 100 mijë ushtarë, në pikën kulmore të luftimeve në Afganistan.

XS
SM
MD
LG