Ndërlidhjet

SHBA: Rusia t’i gjej ideologët e vrasjes së gazetares Politkovskaya


Një grua duke vendosur lule në pllakën përkujtimore në vendin ku është vrarë gazetarja ruse Anna Politkovskaya
Një grua duke vendosur lule në pllakën përkujtimore në vendin ku është vrarë gazetarja ruse Anna Politkovskaya

Departamenti amerikan i shtetit i ka bërë thirrje Rusisë që t’i gjej dhe dënojë ata që e kanë urdhëruar vrasjen e gazetares së njohur investigative ruse, Anna Politkovskaya, në vitin 2006.

Në kumtesën e mbrëmshme, një ditë para 11 vjetorit të vrasjes së gazetares Politkovskaya, zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, tha se raportimet e kësaj gazetareje “kanë vënë dritë në shkeljen e të drejtave të njeriut në Rusi dhe për vuajtjet e viktimave të luftës në rajonin e Kaukazit Verior”.

“Ne vazhdojmë të kërkojmë nga autoritetet e Rusisë që ta identifikojnë dhe dënojnë personin apo personat që urdhëruan, planifikuan dhe e financuan këtë krim të tmerrshëm”, tha Nauert.

Anna Politkovskaya, kritike e ashpër e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, raportimet e së cilës e kanë zbuluar korrupsionin e nivelit të lartë në Rusi dhe abuzimet e të drejtave të njeriut në rajonin Çeçeni në Rusi, është vrarë më 7 tetor të vitit 2006, në ndërtesën ku banonte në Moskë.

Në vitin 2014, dy persona janë dënuar me burgim të përjetshëm dhe dy të tjerë me burgim, për përfshirjen e tyre në këtë vrasje.

Por, të afërmit dhe kolegët e gazetares së vrarë thonë se drejtësia nuk do ta kryejë detyrën e saj, derisa ata që e urdhëruan vrasjen e saj të identifikohen dhe dënohen.

Meqë Politkovskaya ishte vrarë në ditën kur Putin e shënon ditëlindjen e tij, janë përhapur spekulime se vrasja e saj mund të ishte “dhuratë” për presidentin rus.

XS
SM
MD
LG