Ushtria e Irakut thotë se pjesëtarët e saj kanë lëvizur kah territoret që mbahen nga kurdët, afër provincës veriore, Kirkuk, duke i marrë disa pozicione nga luftëtarët kurdë.
Në kumtesën e sotme të armatës irakiane theksoheet se forcat proqeverisë e kanë marrë kontrollin ndaj urave, rrugëve dhe infrastrukturës, përfshirë kapacitetet e gazit, një stacion të rrymës dhe një qendër policore në pjesën jugore të Kirkukut.
“Forcat po vazhdojnë të avancojnë”, thuhet në njoftim.
Zëdhënësi i forcave kurde, Bahzad Ahmed, ka konfirmuar se forcat federale e kanë marrë kontrollin e hapësirave industriale në jug të Kirkukut gjatë luftimeve nga të cilat ka “shumë viktima”. Ai nuk ka dhënë shifra specilifike lidhur me viktimat eventuale.
Kjo lëvizje u bë tri javë pasi zyrtarët kurdë e kanë mbajtur një referendum për pavarësi në rajonin e tyre autonom, përfshirë Kirkukun. Ky votim nga qeveria në Bagdad është shpallur ilegal.
Zyrtarët kurdë thanë se banorët me shumicë të madhe votuan për pavarësi.
Bisedimet e djeshme për krizën dështuan, pasi liderët kurdë i refuzuan kërkesat e qeverisë në Bagdad për t’i tërhequr rezultatet e referendumit.
Mbrëmë vonë, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga “të gjithë aktorët” në rajon që tu shmangen “aksioneve destabilizuese, që e dobësojnë luftën kundër Shtetit Islamik dhe mëtutje e dëmtojnë stabilitetin e Irakut”.