Ndërlidhjet

Vuçiq: Në bisedë me diplomatin Hoyt Yee i kam mbrojtur interesat serbe


Aleksandar Vuçiq (majtas) dhe Hoyt Brian Yee, gjatë bisedimeve në Beograd më 24 tetor të këtij viti

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë bisedës me zyrtarin e lartë të Departamentit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, i ka mbrojtur interesat e Serbisë.

“Mund të them se kam punuar pastër dhe me përgjegjësi dhe se i kam mbrojtur interesat e Serbisë”, u tha sot gazetarëve në Beograd, presidenti Vuçiq, pas takimit me liderin e Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë, Millorad Dodik.

“Hoyt Yee është politikan serioz, i ka paraqitur mesazhet që për ne janë të vështira, por nuk do të thoja se janë të reja”, tha Vuçiq, dhe ka shtuar se “toni ndoshta ishte më i lartë, prandaj edhe unë për një oktavë më fuqishëm i kam mbrojtur interesat e Serbisë”.

Megjithatë, Vuçiq theksoi se është vështirë që pa pasur raporte të mira me Shtetet e Bashkuara, Serbia mund të llogaris për prosperitet në të ardhmen, raporton agjencia Beta.

“Por, çfarë vendi do të ishin ne sikur të mos kultivonim frymë të lirisë”, tha Vuçiq dhe ka shpjeguar se Beogradi “i respekton interesat e Shteteve të Bashkuara, Evropës, Rusisë, por i respektojmë edhe interesat e Serbisë”.

Në kumtesën pas bisedës së presidentit Vuçiq me zëvendës-ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, para disa ditësh në Beograd, theksohej se ai ishte i brengosur për ndikimin rus në Ballkan dhe Serbi dhe se kërkonte zgjidhjen e çështjes së ndezjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Beograd dhe zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë me prejardhje nga Kosova.

XS
SM
MD
LG