Presidenti i shkarkuar i Katalonjës, Carles Puigdemont, tha se nuk ka udhëtuar në Belgjikë për të kërkuar azil.
Ai u shfaq në publik në Bruksel me disa kolegë, pasi ka shpallur pavarësinë e Katalonjës nga Spanja, javën e kaluar.
Qeveria qendrore e Spanjës ka marrë kontrollin e Katalonjës dhe ka shkarkuar zyrtarët e lartë.
Puigdemont tha se nuk bën përpjekje të ikë nga drejtësia, porse dëshiron të jetë në gjendje të flasë i lirë.
Ai i bëri komentet në një konferencë për media, derisa Gjykata Kushtetuese e Spanjës e pezulloi shpalljen e pavarësisë nga lideri katalanas, të premten e kaluar.
Puigdemont nuk e sqaroi se sa kohë do të qëndrojë në Belgjikë, por tha se do të kthehet kur t'i jepen "garanci" nga Qeveria spanjolle.
Ai tha se vendimi i prokurorëve spanjollë për ta akuzuar atë dhe disa ministra të tjerë të Katalonjës për shkelje, të cilat mund të dënohen deri në 30 vjet burgim, tregon për shkallën e "agresionit të autoriteteve qendrore".