Ndërlidhjet

Rajoy: Në Katalonjë të mos votohet për separatistët


Mariano Rajoy gjatë fjalimit të tij të sotëm në Barcelonë

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, u ka bërë thirrje banorëve të Katalonjës, që të mos votojnë për separatistët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në muajin e ardhshëm.

Gjatë një fjalimi të sotëm në Barcelonë, zoti Rajoy ka kërkuar pjesëmarrjen e “shumicës së heshtur” në mënyrë që “zëri i tyre të shndërrohet në votë”.

Kjo është vizita e parë e zotit Rajoy në Katalonjë prej se qeveria e tij në Madrid ka zbatuar sundim direkt në këtë rajon, para dy javësh.

Disa liderë separatistë të Katalonjës janë arrestuar nga autoritetet e Spanjës për shkak të deklaratës së njëanshme për pavarësi, të shpallur muajin e kaluar.

Ata ballafaqohen me akuza lidhur me kryengritje, rebelim dhe keqpërdorim të fondeve publike.

Vlerësohet se afro 750 mijë vetë mbrëmë kanë marrë pjesë në marshin në rrugët në pjesën qendrore të Barcelonës për të kërkuar lirimin e tyre nga burgu.

Ky rajon i pasur, ka shpallur pavarësi nga Spanja më 27 tetor, pas mbajtjes së referendumit. Ky referendum nga autoritetet në Madrid ishte shpallur ilegal.

Qeveria qendrore e Spanjës e ka pezulluar përkohësisht autonominë e Katalonjës, e ka shkarkuar presidentin, Carles Puigdemont, dhe zyrtarët e tjerë rajonalë, dhe ka shpallur zgjedhje të parakohshme për 21 dhjetor.

XS
SM
MD
LG