Shawn Mendes ishte më i suksesshëm se Taylor Swift dhe Ed Sheeran, pasi e fitoi çmimin për artistin më të mirë në ceremoninë MTV EMAs, të mbajtur mbrëmë vonë në Londër.
Ylli 19 vjeçar kanadez, Shawn Mendes, e fitoi edhe trofeun për këngën më të mirë dhe çmimin për simpatizuesit më të mirë. Kjo shkaktoi gëzim të papërshkrueshëm te dashamirët e tij në pallatin SSE Arena në Londër.
Ky manifestim, që dikur njihej si MTV Europe Music Awards, është hapur me një klip të këngëtarit Eminem. Eminemi e fitoi çmimin për artistin më të mirë hip-hop, që u konsiderua befasi.
Ky ishte kthim i këtij manifestimi në Londër për të parën herë prej vitit 1996 dhe atë e moderoi këngëtarja dhe aktorja londineze, Rita Ora, me origjinë shqiptare nga Kosova, e cila ishte zgjedhje e qëlluar dhe e hareshme, raporton agjencia AP nga Londra.
Ajo doli në skenë me mantel të banjos dhe me peshqir në kokë, të gjitha me ngjyrë të bardhë, dhe i lëvizte gjërat në këtë manifstim, ndërsa për çdo pak minuta e ndërronte garderobën.
Këngëtarja, tjetër londineze, Dua Lipa, po ashtu me origjinë shqiptare nga Kosova, e fitoi çmimin për artistin e ri më të mirë.
Ikonë globale u shpall grupi U2.