Ndërlidhjet

Gjenerali italian Cuoci pranon detyrën e Komandantit të KFOR-it


Ilustrim

Komandanti në largim i KFOR-it, Giovanni Fungo, ia ka dorëzuar të mërkurën detyrën një gjenerali tjetër italian, Salvatore Cuoci.

Në ceremoninë e ndërrimit të komandës të mbajtur në bazën e KFOR-it në Prishtinë, Fungo ka falënderuar përkushtimin e trupave të KFOR-it të treguar gjatë mandatit të tij, si dhe bashkëpunëtorët e tjerë, përfshirë edhe institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë se moto e tij gjatë kësaj kohe ka qenë besimi dhe përkushtimi.

Fungo ka thënë se u dëshiron qytetarëve të Kosovës “të gjitha të mirat në të ardhmen e ndritur e cila ju pret, e të cilën ju e meritoni plotësisht”.

Të pranishëm në këtë ceremoni kanë qenë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj dhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Presidenti Thaçi, tha me këtë rast se gjenerali Fungo është mik i dëshmuar i Kosovës dhe rajonit.

Ai i ka shprehur mirënjohje për “punën e tij për të forcuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë.”

“KFOR vazhdon të gëzojë besimin më të lartë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie”, ka shtuar Thaçi.

Trupat e KFOR-it në Kosovë janë vendosur në vitin 1999 me mision paqeruajtës. Ndërkohë, KFOR-i ka pësuar reduktim sistematik dhe aktualisht, janë rreth 4600 ushtarë të cilët vijnënga 31 vende të ndryshme.

XS
SM
MD
LG