Ndërlidhjet

Franca i ofron vizitë Haririt, jo mërgim


Kryeministri i Libanit, Saad al-Hariri.
Kryeministri i Libanit, Saad al-Hariri.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka ftuar në Francë kryeministrin e Libanit, Saad Hariri, dhe familjen e tij, por ka thënë se nuk iu ka ofruar mërgim politik.

Zyrtarët francezë thanë se Hariri do të arrijë "në ditët e ardhshme".

Hariri ka dhënë dorëheqje papritur gjatë një vizite në Arabinë Saudite më 4 nëntor, duke shkaktuar krizë politike.

Qeveria saudite ka mohuar se e mban atë kundër dëshirës ose se i bën presion për të dhënë dorëheqje, në përpjekje për të frenuar ndikimin e rivalit të saj rajonal, Iranit.

Të mërkurën, presidenti i Libanit, Michel Aoun, ka akuzuar publikisht Arabinë Saudite për ndalimin e Haririt, duke thënë se "asgjë nuk e justifikon" mungesën e tij të vazhdueshme.

Hariri, megjithatë, ka insistuar se është mirë dhe se së shpejti do të kthehet në Liban.

Macron tha se ftesa për të vizituar Francën "për disa ditë" është bërë pasi ai ka folur me Haririn dhe me princin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në telefon.

I pyetur nëse ai po i ofronte mërgim Haririt, Macron u përgjigj: "Jo, shpresoj se Libani do të jetë i qëndrueshëm dhe se zgjedhjet politike janë në përputhje me rregullat institucionale".

XS
SM
MD
LG