Ndërlidhjet

Kritiku i Kremlinit merr azil politik në BE


Vyacheslav Maltsev
Vyacheslav Maltsev

Vyacheslav Maltsev, kritik i zëshëm i Kremlinit dhe lider i një lëvizjeje të jashtëligjshme opozitare në Rusi, tha se është bërë “refugjat politik” në Bashkimin Evropian.

Në një intervistë për rrjetin Current Time të Radios Evropa e Lirë, Maltsev tha se ka ikur nga Rusia në korrik dhe se i është dashur të kalojë ca kohë në paraburgim në një vend të BE-së, përpara se të siguronte dokumentet që do t’i mundësonin qëndrim të ligjshëm në BE.

Maltsev nuk e tregoi vendin se ku është duke qëndruar.

Qindra mbështetës të Maltsevit dhe anëtarë të lëvizjes së tij Artpodgotovka janë ndaluar më 5 nëntor, në tubimet në Moskë dhe në qytete të tjera të Rusisë, përpara shënimit të 100-vjetorit të Revolucionit Bolshevik.

Maltsev, më herët, e ka proklamuar 5 nëntorin si ditë të fillimit të “revolucionit të ri” për rrëzimin e qeverisë së presidentit rus, Vladimir Putin.

Në muajin maj, Maltsev është akuzuar në mungesë për thirrje publike për aktivitete ekstremiste.

Lëvizja e tij Artpodgotovka është ndaluar në tetor, me urdhër të një gjykate rajonale në qytetin Krasnojarsk të Siberisë.

XS
SM
MD
LG