Diego Maradona do të jetë së bashku me ish-rivalin e tij të ndeshjeve të Kupës Botërore, Gary Lineker, gjatë shortit në Moskë, javën e ardhshme.
Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka njoftuar se Maradona do ta përfaqësojë Argjentinën në Pallatin Kremlin të Moskës, ku të gjitha tetë shtetet fituese të Kupës Botërore, do t’i dërgojnë ish-lojtarët e tyre më të mirë për të qenë të pranishëm gjatë hedhjes së shortit.
Maradona ishte kapiten në vitin 1986, kur Argjentina e fitoi titullin e kampionit, duke e eliminuar Anglinë me kapitenin, Gary Lineker, në çerekfinale, me ndihmën e të ashtuquajturit gol me “Dorë të Zotit”, në Meksikë, raporton agjencia AP nga Cyrihu.
Kupa Botërore në Rusi, me pjesëmarrjen e 32 kombëtareve të futbollit, fillon më 14 qershor e përfundon më 15 korrik.