Ndërlidhjet

SHBA: I dyshuari turko-iranian nuk del në gjykatë këtë javë


Biznesmeni turko-iranian, Reza Zarrab

Një biznesmen i pasur turko-iranian, i cili është i dyshuar për atë që prokurorët amerikanë thonë se ishte konspracion i nivelit të lartë për ta ndihmuar Iranin, që t’u shmanget sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, nuk do të paraqitet në gjykatë këtë javë, siç parashihej, megjithqë vazhdon rasti kundër personave të akuzuar së bashku me të.

Gjyqtari amerikan, Richard Berman, ka shpallur mbrëmë se, derisa po zgjedhej përbërja e porotës, biznesmeni, Reza Zarrab, nuk do të paraqitet në gjykatë, ndërsa bankeri nga Turqia, Mehmet Hakan Atilla, “është i vetmi i paditur në këtë proces gjyqësor”.

Të dy këta të akuzuar, pra Atilla dhe Zarrab, janë në paraburgim në Shtetet e Bashkuara.

Gjyqtari Berman nuk ka dhënë shpjegim për mungesën e Zarrabit në proces, pas një serie të mungesave të pashpjeguara në dëgjimet paraprake.

Ky zhvillim e ka thellluar misterin rreth këtij rasti dhe i ka ripërtrirë spekulimet se Reza Zarrabi ka arritur marrëveshje me prokurorët, për të dëshmuar e jo për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.

NBC News, Bloomberg News dhe mediat e tjera amerikane, kanë raportuar se Zarrab, 34-vjeçar, po bashkëpunon me prokurorët e Shteteve të Bashkuara.

Lidhjet e afërta të Reza Zarrabit dhe të personit tjetër që është i akuzuar, me Qeverinë e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e ka shndërruar këtë rast në shqetësim madhor në raportet Shtetet e Bashkuara – Turqi.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, së fundit e ka përsëritur kërkesën e Ankarasë, që prokurorët amerikanë të tërhiqen nga ky rast, për të cilin sipas zotit Bozdag, nuk “ka provë të vlefshme” dhe “bazë juridike”.

Bozdag ka konstatuar se qëllimi i këtij rasti është që të shkaktojë shkatërrim të ekonomisë së Turqisë, që ishte një referencë e qartë në rënien e lirës turke javën e kaluar, në nivelin rekord të ulët në krahasim me dollarin amerikan. Kjo rënie vlerësohet se ishte reagim lidhur me këtë rast.

Prokurorët amerikanë i kanë hedhur poshtë akuzat e Turqisë, ndërsa një gjyqtar ka kërkuar që Turqia të dërgojë çfarëdo dëshmie që ka, me të cilën mund të dëshmohet pafajësia e të pandehurit në gjykatë, e jo të hedhë akuza kundër prokurorëve.

Në dokumentet e gjykatës, prokurorët e akuzojnë Zarrabin se e ka përdorë një rrjet të bizneseve dhe bankën e Atillës, Halkban, që është pronë e shtetit turk, për t’i kanalizuar parat e gatshme dhe arin në Iran, duke i mashtruar bankat amerikane gjatë procesimit të transakcioneve.

Kjo skemë, që konsiderohet se ka ndodhur në periudhën 2010 – 2015, paraqet shkelje të ndalesës së Shteteve të Bashkuara, për përdorimin e sistemit financiar amerikan ose dollarët amerikanë, në transakcione biznesore, thonë prokurorët.

Mëtutje, në këto dokumente, theksohet se personat e akuzuar, duke e shfrytëzuar këtë skemë, i kanë paguar dhjetëra miliona dollarë të gatshme ryshfet dhe stoli, për ish-ministrin e atëhershëm të Turqisë, Mehmet Zafer Caglyan.

Zoti Caglyan i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa gjashtë të akuzuar të tjerë në këtë rast, që ishin me pozita të larta, vazhdojnë të mbesin në Turqi.

Në një sugjerim se përse ky rast është shndërruar në kaq të rëndësishëm për presidentin Erdogan, i cili disa herë ka bërë presion për lirimin e Zarrabit, prokurorët kanë thënë, sipas dosjeve gjyqësore, se Zarrab njëherë i kishte thënë një të akuzuari tjetër se ai kishte folur direkt me Erdoganin për këtë skemë të dyshuar.

Zëvendëskryeministri i Turqisë, Bekir Bozdag, ka thënë aktualisht se ekziston “presion” ndaj Zarrabit për ta pranuar fajësinë për pretendimet “e rrejshme”.

Emri i zotit Zarrab është përmendur, po ashtu, lidhur me akuza për të cilat hetime zhvillon këshilltari special i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Robert Mueller.

Në këtë rast, hetuesit po shqyrtojnë nëse Qeveria e Turqisë mund ta ketë paguar ish-këshilltarin për siguri kombëtare, Michael Flynn, për ta siguruar lirimin e Zarrabit dhe për deportimin e kleriut turk me seli në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, të cilin Erdogani e fajëson për puçin e dështuar kundër qeverisë së tij vitin e kaluar.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG