Ndërlidhjet

Tillerson: SHBA e përkushtuar për sigurinë evropiane nga kërcënimi rus


Rex Tillerson gjatë fjalimit të sotëm në Qendrën Wilson në Uashington

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, e ka shprehur përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë evropiane, veçanërisht në luftimin e kërcënimeve nga Rusia.

Në fjalimin e tij të sotëm në Qendrën Wilson në Uashington, Tillerson tha se Shtetet e Bashkuara do të jenë të parat që do të përgjigjen ndaj ndonjë sulmi kundër aleatëve evropianë, sipas Artikullit 5 për mbrojtje reciproke të NATO-s.

Disa liderë evropianë kanë shprehur shqetësim se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, mund të tërhiqet nga aleanca, pas kërkesës që anëtarët evropianë të shpenzojnë më tepër fonde për mbrojtjet e tyre.

Tillerson e ka akuzuar Rusinë për udhëheqje të politikave “të ndarjes” së Uashingtonit me aleatët evropianë.

Zyrtari i lartë amerikan tha se intervenimet e Rusisë në Gjeorgji dhe Ukrainë, dhe ndërhyrja në zgjedhjet dhe politikat evropiane, janë të papranueshme.

Në riafirmimin e përkushtimit amerikan për sigurinë evropiane, Tillerson tha se Uashingtoni kurrë nuk do ta harroj se si NATO-ja “ka qëndruar me ne” pas sulmeve terroriste më 11 shtator të vitit 2001.

Por, Tillerson theksoi se partnerët evropianë duhet të pranojnë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e vet.

XS
SM
MD
LG