Ndërlidhjet

Manafort lirohet me kusht


Paul Manafort
Paul Manafort

Paul Manafort, ish-udhëheqës i fushatës së presidentit amerikan, Donald Trump, ka rënë dakord me këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton lidhjet e mundshme midis fushatës së Trumpit dhe Rusisë, që të paguajë një dorëzani prej 11.65 milionë dollarësh.

Avokati i tij, Kevin Downing, tha se në bazë të marrëveshjes, Manafort, i cili është mbyllur në shtëpinë e tij në Virxhinia prejse janë ngritur akuzat kundër tij në tetor, do të lirohet nga arrestimi shtëpiak dhe monitorimi elektronik.

Manafort ka rënë dakord të humbë katër pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 11.65 milionë dollarë, nëse shkel lirimin me kusht, thuhet në dokumentin e gjykatës në Uashington.

Zëdhënësi i Muellerit nuk ka qenë i qasshëm për komente.

Manafort, i cili ka udhëhequr fushatën e Trumpit për disa muaj, dhe bashkëpunëtori i tij në biznes, Richared Gates, nuk e kanë pranuar fajësinë për akuzat e ngritura nga një juri federale.

Akuzat kundër tyre përfshijnë konspiracion për shpëlarje parash dhe konspiracion kundër SHBA-së.

Akuzat janë pjesë e hetimeve të Muellerit pas konstatimeve të inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet në SHBA, në vitin 2016, në favor të zgjedhjes së Trumpit president.

XS
SM
MD
LG