Ndërlidhjet

Erdogan padit liderin e partisë më të madhe opozitare turke


Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan

Partia kryesore opozitare turke ka publikuar disa dokumente, përfshirë edhe disa fatura bankare, të cilat pretendohet se tregojnë për transaksione në kompani off-shore të kryera nga njerëzit e afërt të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Ndërkohë, Erdogan dhe familjarët e tij kanë ngritur padi në vlerë prej 1,5 milion lirash (380 mijë dollarë) ndaj Kemal Kilicdaroglu, liderit të partisë më të madhe opozitare turke, Partisë Popullore Republikane (CHP), lidhur me këto akuza, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve, Anadolu.

Presidenti turk ka hedhur poshtë akuzat se ka transferuar jashtë vendit para, me qëllim që të shmang taksat. Avokati i tij, ka thënë se pretendimet e partisë opozitare janë gënjeshtra. Presidenti turk, madje është zotuar se nëse këto akuza të kësaj partie opozitare dalin të jenë të vërteta, ai do të japë dorëheqje.

Zëdhënësi i Partisë Popullore Republikane, Bulet Tezcan ka publikuar dokumentet në një konferencë për media duke thënë se “gjithçka është e shkruar këtu”. Ai ka premtuar se do t’i japë edhe dokumentet e bankës prokurorëve, që sipas tij, dëshmojnë kryerjen e transaksioneve në Ishullin Man.

Të enjten, zyra e Prokurorit në Ankara, ka njoftuar se ka nisur hetimet lidhur me pretendimet e paraqitura nga Partia Popullore Republikane. Megjithatë, partia në pushtet, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), ka bllokuar një hetim parlamentar për këtë çështje.

Emrat që përmenden në dokumentet e publikuara nga opozita përfshijë familjarë dhe persona të rrethit të ngushtë të presidentit turk.

XS
SM
MD
LG