Ndërlidhjet

Boris Johnson takon presidentin iranian, Hassan Rohani


Boris Johnson gjatë një takimi me disa përfaqësues të lartë iranian, Teheran.

Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson, është takuar sot në Teheran me presidentin Iranian, Hassan Rohani, derisa ka vazhduar përpjekjet e tij për lirimin e gruas iraniano-britanike, Nazanin Zaghari-Ratcliffe.

Një zëdhënës për zyrën e Jashtme britanike, ka thënë se Johnson dhe Rohani kanë biseduar “hapur” për disa çështje, duke përfshirë edhe rastin e Zaghari-Ratcliffe, transmeton BBC.

Në anën tjetër bashkëshorti i Zaghari-Ratcliffe, ka thënë se autoritetet e kanë anuluar në momentin e fundit seancën e planifikuar për sot, në të cilën iraniano-izraelitja do të përballej me akuza për “shpërndarje të propagandës”.

“Seanca pët rastin e Nazaninit nuk është zhvilluar sot, në mëngjesin kur ka ndodhur vizita e sekretarit të Jashtëm”, u ka shkruar Ratcliffe gazetarëve përmes emailit.

“Padyshim që kjo është shenjë e mirë”.

Zaghari-Ratcliffe është duke u mbajtur në Iran nga prilli i vitit 2016, për supozimet se ka bërë komplote kundër qeverisë së Iranit.

Ajo i mohon këto akuza.

Zëdhënësi i Johnsonit e ka përshkruar vizitën e sekretarit të Jashtëm si, “të vlefshme” duke shtuar se është arritur, “përparim në të gjitha fushat”.

Mirëpo Johnson ishte kritikuar nga zyrtarët iranianë që nuk po bën mjaftueshëm që nga arritja e Marrëveshjes Bërthamore që Teherani ka me fuqitë botërore.

Zyra e Rohanit ka deklaruar se presidenti iranian i ka thënë Jonhnsonit se, “marrëdhëniet në mes të dy shteteve nuk e kanë arritur potencialin e pritur”, pak kohë pasi është nënshkruar kjo marrëveshje.

Zaghari-Ratcliffe, është duke vuajtur dënimin me burg prej pesë vitesh pas dyshimeve se ajo ka planifikuar “rrëzim të butë” të qeverisë iraniane, derisa ka qenë duke udhëtuar me vajzën e saj të vogël.

Akuzat e reja ndaj saj për propagadë mund të rrisin burgun deri në 16 vite.
Zaghari-Ratcliffe është një menaxhere projektesh në Thomson Reuters Foundation, organizatë bamirësie e cila funksionin si e pavarur nga agjencia e lajmeve Reuters.

Ajo i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat kundër saj dhe insiston se ajo ka qenë në Iran për vizitë personale.

Johnson është përballur me thirrje për t’u dorëhequr, pasi ka thënë në parlament se Zaghari-Ratcliffe ka “trajnuar gazetarë”, në Iran para se të arrestohej gjatë vitit të kaluar.

Kritikët i kanë cilësuar këto komente të Johnsonit si mundësi për zgjatje të dënimit për gruan.

Ai më vonë ka kërkuar falje duke thënë se Zaghari-Ratcliffe nuk ka qenë në Iran në cilësinë e profesionistes.

Irani ka mbajtur disa persona nga shtete të tjera, duke i akuzuar për spiunim.

Shumica prej tyre kanë qenë iranianë me shtetësi të dyfishtë.

XS
SM
MD
LG