Ndërlidhjet

Kosova refuzon ekstradimin e shtetasit turk


Shtetasi turk, Ugur Toksoy gjatë seancës gjyqësore. 14 dhejtor, 2017
Shtetasi turk, Ugur Toksoy gjatë seancës gjyqësore. 14 dhejtor, 2017

Për shkak të mungesës së provave materiale, një prokuror i Kosovës tërhoqi kërkesën për ekstradimin e Ugur Toksoy, shtetas turk, i cili kërkohet në Turqi me dyshimin se është anëtar i organizatës Hizmet të udhëheqësit fetar turk Fetullah Gulen.

Këtë organizatë Ankaraja e quan FETO dhe e konsideron si terroriste.

Në fillim të seancës, Prokurori Special Ali Rexha tha se kërkesa e Qeverisë turke fillimisht nuk ishte e plotë dhe se kishte mungesë të provave. Megjithatë, ai tha se ka kërkuar nga Ambasada e Turqisë që të sjellë fakte te reja, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Shtetasi turk nuk ekstradohet në Turqi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

"Me kohë kam kërkuar prova materiale relevante për ekstradim. Prova shteti turk nuk na i ka siguruar edhe pse një muaj rregullisht çdo ditë kam kontaktuar me email dhe na kanë thënë se po, por në fund nuk kanë siguruar prova materiale. Kështu, në mungesë të provave duhet të funksionojë ligji dhe të tërhiqet kërkesa", tha Rexha.

Prokurori Rexha tha se Kosova me shtetin e Turqisë, ka raporte të mira, por në këtë rast duhet të veprohet në baza ligjore dhe të veprohet duke u bazuar në fakte e prova.

"Normal se nëse sigurohen prova relevante mund të rihapet kërkesa e tyre", tha Rexha i pyetur nëse rasti mund të kthehet përsëri në gjykatë.

Gjykata ka pranuar deklaratën e prokurorit dhe së shpejti do të marrë një vendim lidhur me rastin.

"Lidhur me këtë [rast ], gjykata do të marrë vendim të veçantë me të cilin do të njoftohen palët", tha gjyqtarja e rastit, Allten Murseli.

Ugur Toksoy, shtetas turk, pas për fundmit të seancës falënderoi shtetin e Kosovës.

"Unë këtu me të vërtetë pashë drejtësi. Pashë sjellje të mirë me mua, përkundër që në Turqi po ndodhin gjykime arbitrare, paraburgime arbitrare, shkelje të të drejtave të njeriut. Gratë me fëmijë dhe foshnje janë të burgosur në Turqi. Pres nga Kosova që të jetë më aktive në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të jetë zë i fuqishëm për këto që po bëhen në Turqi", deklaroi Toksoy.

Toksoy ishte arrestuar më 28 tetor dhe ishte mbajtur disa ditë në paraburgim para se të lirohej me dorëzani.

Ugur Toksoy që 10 vjet jeton me familjen e tij në Kosovë dhe ka punuar si koordinator në fondacionin për arsim Atmosfera, në degën e Prizrenit, i cili ofron shërbime arsimore dhe kulturore për të rinjtë.

Në tre vjetët e fundit ai nuk e ka vizituar Turqinë. Avokati i Toksoyt thotë se nuk ka dëshmi se klienti i tij është i lidhur me lëvizjen e udhëheqësit fetar turk Fetullah Gulen, të cilin autoritetet turke e akuzojnë se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar të vitit 2016.

Fondacioni Atmosfera ka thënë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka të bëjë me Lëvizjen Gulen, duke shtuar se kanë organizuar promovimin e librave të tij. Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kosovës thotë se ky është një rast i motivuar politikisht.

XS
SM
MD
LG