Ndërlidhjet

Pakistan: Numri i të vrarëve në kishë arriti në nëntë vetë


Policia pakistaneze në aksion pasi militantët vetëvrasës e sulmuan sot një kishë në qytetin Kueta
Policia pakistaneze në aksion pasi militantët vetëvrasës e sulmuan sot një kishë në qytetin Kueta

Zyrtarët pakistanezë thonë se së paku 9 vetë janë vrarë dhe afro 50 të tjerë janë plagosur, nga sulmi vetëvrasës në një kishë në qytetin Kueta, në jugperëndim të Pakistanit.

Grupi ekstremist, Shteti Islamik (IS), e ka marrë pëgjegjësinë për sulmin e sotëm nëpërmjet agjencisë së lajmeve, Amaq.

Një zyrtar i lartë në provincën e Baloçistanit tha se sulmin e kishin kryer dy militantë.

Ky zyrtar tha se së pari njëri prej militantëve e aktivizoi jelekun vetëvrasës në trupin e tij në hyrje të kishës, ku ishin afro 400 meshkuj, femra dhe fëmijë, të cilit kishin ardhur për të marrë pjesë në meshën e së dielës, para festës së Krishtlindjeve.

Sulmuesi tjetër nuk arriti ta aktivizojë eksplozivin pasi u qëllua për vdekje nga forcat e sigurisë.

Të plagosurit janë dërguar në spitalet kryesore të qytetit Kueta.

Sulmi është dënuar nga zyrtarët e lartë pakistanezë.

Zëdhënësi i Ministrisë së jashtme të Pakistanit, Mohammed Faisal, në një mesazh në rrjetin Twitter, ka shkruar se “vendosmëria e Pakistanit kundër teerrorizmit nuk mund të zmbrapset nga këto akte qyqare”.

Të krishterët e përbëjnë 1.6% të popullatës prej 200 milionë banorëve, kryesisht myslimanë, të Pakistanit.

XS
SM
MD
LG