Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump është duke fajësuar Korenë Veriore për virusin, i cili pati sulmuar pajisjet kompjuterike gjatë muajit maj në shumë pjesë të botës dhe bllokoi disa sisteme të shërbimit shëndetësor në Britani të Madhe.
“Për virusin e shpërndarë që ka kushtuar miliarda dollarë, përgjegjëse është Koreja Veriore”, ka thënë këshilltari i sigurisë në Shtetet e Bashkuara, Tom Bossert, përmes një shkrimi të botuar në Wall Street Journal.
“Koreja Veriore ka vepruar shume keq për më shumë se një dekadë dhe qasja e saj me qëllim të keq është në rritje e sipër”, ka shkruar Bossert duke shtuar se të gjeturat e SHBA-së janë konfirmuar nga Britania e Madhe dhe Micrsoft.
Ai po ashtu ka thënë se administrata e Trumpit do të përdorë “strategji për presion maksimal në mënyrë që të ulet aftësia e Phenianit për të kryer sulme të çfarëdo lloji”.
Pheniani më herët i ka hedhur poshtë akuzat se ka kryer këto sulme.
Virusi i ashtuquajtur WannaCry ka sulmuar më shumë se 300,000 kompjuterë në 150 vende, duke përfshirë Rusinë, Spanjë dhe Japoninë, gjatë muajit maj duke bllokuar të gjitha dokumentet dhe databazën e këtyre pajisjeve.