Ndërlidhjet

Gazetarët e Reutersit mbeten në paraburgim në Mianmar


Gazetari i Reutersit, Wa Lone.

Dy gazetarë të Reutersit, të cilët kanë mbuluar krizën me myslimanët Rohingya në veri të Mianmarit, do të mbeten në paraburgim edhe për dy javë, thanë autoritetet.

Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo janë ndaluar më 12 dhjetor, pasi kanë takuar zyrtarët policorë që u kanë ofruar informacione.

Ata janë akuzuar për marrje të informacioneve në mënyrë të paligjshme, por Reuters ka thënë se ata kanë bërë punën e tyre dhe ka kërkuar të lirohen.

Qeveria e Mianmarit ka thënë se ata “kanë siguruar informacione ilegalisht, me qëllim për t’i ndarë me mediat e huaja”.

Gazetarët kanë qenë të ftuar në darkë me zyrtarët policorë.

Konflikti në rajonin Rakhine të Mianmarit ka bërë që mbi 600,000 myslimanë Rohingya të ikin në Bangladeshin fqinj.

Ushtria e Mianmarit, që ndryshe njihet edhe si Birmani, thotë se është duke luftuar militantët Rohingya dhe mohon sulmet ndaj civilëve.

Por, Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar ofensivën si “doracak për spastrim etnik”.

XS
SM
MD
LG