Në komunën e Shtimjes, është mbajtur sot një akademi përkujtimore për Reçakun, ku 19 vjet më parë, forcat serbe patën vrarë 45 civilë shqiptarë.
Paraprakisht, udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës si dhe ata të përtive politike kanë vendosur kurora lulesh te Kompleksi Memorial në Reçak, që ndodhet në komunën e Shtimjes.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se para 19 viteve Reçaku u bë emër i njohur në tërë botën dhe hyri në historinë moderne të Kosovës si fakt dhe simbol i sakrificës dhe martirizimit për liri.
“Në Reçak u vërtetua edhe më mirë politika serbe e terrorit sistematik, e gjenocidit shtetëror dhe krimit kundër njerëzimit, që mori përmasa të mëdha në vitet 1998 dhe 1999”, tha Thaçi.
“Mëngjesi i 15 janarit 1999, ishte i rëndë jo vetëm për Reçakun, por për tërë Kosovën”, theksoi ai.
Presidenti i Kosovës përmendi me këtë rast kontributin e ambasadorit amerikan, William Walker, i cili në atë kohë ishte shef i Misionit Verifikues të OSBE-së, dhe deklaratën e tij në Reçak ishte kryer masakër.
“Emërtimi i krimit me emrin e vërtetë nga miku i Kosovës, ambasadori Wiliam Wolker ishte një akt sensibilizues i çështjes së Kosovës”, tha Thaçi.
Ndërkohë, ambasadori Walker tha se sa herë që shkon në Reçak ndihet njësoj.
“Gjithmonë është ftohtë dhe gjithmonë kujtoj me aq dhembje të masakruarit këtu”, tha ai.
Megjithatë Walker tha se “është dëshpëruese, pasi këta njerëz nuk e kanë dhënë jetën e tyre për ta parë Kosovën aty ku është tash”.
Në këtë akademi kanë folur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj e personalitete tjera politike.
Ngjarja e 15 janarit të vitit 1999, e njohur si masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan deri te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.