Ndërlidhjet

Trump do të ketë një mori takimesh në Davos


Presidenti amerikan, Donald Trump

Presidenti amerikan, Donald Trump do të takohet me kryeministren britanike, Theresa May, kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, presidentin zviceran, Alain Berset, dhe atë të Ruandës, Paul Kagame, në vizitën e tij dy ditore në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, H.R. McMaster ka thënë dje në Uashington, se Trump do të diskutojë me kryeministren britanike May për Korenë Veriore, Sirinë dhe marrëveshjen bërthamore me Iranin.

Presidenti amerikan Trump do të takohet për herë të parë me kryeministrin izraelit, Netanyahu prej kur ai mori vendim që Shtetet e Bashkuara ta njohin Jerusalemin, kryeqytet të Izraelit, në muajin e kaluar.

Trump do të ketë një ditë me shumë takime të planifikuara më 25 janar. Në po atë ditë ai do të ketë edhe një darkë me liderët evropianë.

Këshilltari amerikan për ekonomi në Shtëpinë e Bardhë, Gary Cohn u ka thënë gazetarëve, se fjalimi i Trumpit do të inkurajojë liderët botërorë të investojnë në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar edhe politikën e tij “Amerika e Para” dhe nevojën për “konkurencë të drejtë ekonomike”.

“Ne do të shkojmë në Forumin Ekonomik Botëror për të ndarë storien e ekonomisë së presidentit Trump dhe t’i tregojmë botës se Amerika është e hapur për biznes”, ka thënë Cohn.

Më shumë se 1,000 persona kanë protestuar në Cyrih nën sloganet “Trump nuk është i mirë se ardhur”.

XS
SM
MD
LG