Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Rusia kundërshton kritikat amerikane për armët kimike në Siri


Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya

Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vasily Nebenzya, ka kundërshtuar ashpër akuzat e Sekretarit amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, se Moska duhet konsideruar përgjegjëse për përdorimin e armëve kimike në Siri.

Duke folur në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Nebenzya ka thënë, se Shtetet e Bashkuara kishin “akuzuar me nxitim” qeverinë siriane për përdorimin të armëve kimike.

“Tani ata po provojnë të tërheqin edhe Rusinë aty”, ka thënë Nebenzya.

Tillerson ka folur sot në Paris, pasi 24 shtete, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Francën kanë lansuar një organizatë të re me qëllim të identifikimit dhe ndëshkimit të atyre që përdorin armë kimike.

Tillerson ka thënë, se Rusia është duke shkelur marrëveshjen e vitit 2013 që ka me Shtetet e Bashkuara për largimin e armëve kimike nga Siria.

Ai po ashtu ka thënë se Moska është duke ndihmuar qeverinë siriane për të shkelur Konventën për Armët Kimike, e cila ndalon përdorimin e këtyre armëve.

Tillerson ka thënë se Rusia duhet të heqë dorë nga përdorimi i vetos për rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për t’i mbajtur përgjegjës, përdoruesit e këtyre armëve.

“Nuk mund të mohohet se Rusia duke përkrahur aletatin e saj sirian ka shkelur angazhimet e saj ndaj Shteteve të Bashkuara si garantues”, i marrëveshjës së vitit 2013, ka thënë Tillerson.

“Dështimi i Rusisë që të zgjidhë çështjen e armëve kimike në Siri, ngrit pyetjen për rëndësinë e saj në zgjidhjen e problemit të përgjithshëm. Minimumi që mund të bëjë Rusia është që të mos përdorë veton dhe të paktën të abestenojë rezolutat e ardhshme të UNSC-së për këtë çështje”, ka thënë Tillerson.

Organizata e re, Partneriteti Ndërkombëtar kundër Pandëshkueshmërisë së Armëve Kimike, tenton të publikojë informacione për sulmet kimike, në mënyrë që t’i emërojë dhe turpërojë fajtorët dhe eventualisht t’i ndëshkojë ata. Përpjekjet e OKB-së për të sanksionuar autorët kanë dështuar, pasi janë bllokuar nga Rusia.
Ministria e Jashtme franceze ka thënë se grupi i ri “në asnjë mënyrë nuk tenton të zëvendësojë mekanizmat ndërkombëtarë apo të kryejë hetime të pavarura”.

Mirëpo kjo iniciativë është përballur me kundërshtim nga Rusia, për të cilën qeveritë Perëndimore kanë thënë se ky vend ka përdorur fuqinë që ka, për të mbrojtur qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad nga ndëshkimi për armët kimike.

Zëvendsministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ka thënë se iniciativa është “shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtave të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike dhe një goditje për platformën e OKB-së”.
Aktivistë dhe ekipe të shpëtimit kanë thënë se dyshohet që qeveria siriane ka përdorur gaz helmues, nga i cili janë prekur 20 civilë afër Damaskut më 22 janar.

Siria kundërshton të ketë përdorur armë kimike, derisa Moska ka thënë se ekstremistët kanë përdorur këto armë në të kaluarën.
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka thënë se, “ata që kryjnë sulme me armë kimike, duhet të jenë të njoftuar se e dimë kush janë dhe do të shkojmë pas tyre”.

XS
SM
MD
LG