Ndërlidhjet

Vendet e Kuintit mirëpresin tërheqjen e liderëve nga shfuqizimi i Ligjit për Specialen


Liderët institucionalë të Kosovës
Liderët institucionalë të Kosovës

Përfaqësuesit e shteteve të Kuintit i mirëpresin deklaratat e fundit të udhëheqësve politikë të Kosovës dhe zotimet e tyre se heqin dorë nga përpjekjet për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara (Gjykatën Speciale).

“Presim nga udhëheqësit e Kosovës të mbajnë fjalën e tyre, kurse nga institucionet e Kosovës presim që ta nderojnë këtë gatishmëri. Vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit dhe duke siguruar drejtësi për të gjitha viktimat, Kosova mund ta afirmojë pjekurinë e saj si shtet dhe gatishmërinë për t'u integruar tërësisht në Evropë dhe komunitetin ndërkombëtarë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën ua ka dërguar mediave Ambasada Amerikane në Prishtinë.

“Me mbështetjen e Dhomave të Specializuara mundësohet mbështetje e vazhdueshme nga miqtë dhe aleatët më të ngushtë të Kosovës tani kur festojmë shumë të arritura në dekadë, që nga pavarësia”, theksohet në deklaratën e përbashkët.

Shtetet e Kuintit patën reaguar ashpër pas një nisme të 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Gjykatën Speciale për krime lufte), e cila nuk ishte kundërshtuar as nga liderët më të lartë të shtetit të Kosovës.

Tërheqja e liderëve nga nisma kundër Gjykatës Speciale pasoi reagimet ndërkombëtare dhe paralajmërimet për pasoja të ashpra ndaj të gjithë atyre që përpiqen ta shfuqizojnë këtë gjykatë, si një prej obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti i Kosovës.

XS
SM
MD
LG