Ndërlidhjet

Turqia do të emërojë rrugën tek ambasada amerikane sipas ofensivës së saj në Siri


Ambasada e SHBA-së në Ankara.

Kryebashkiaku i Ankarasë tha të hënën se ka miratuar riemërimin e rrugës jashtë ambasadës amerikane si “Dega e Ullirit”. Ky është emri që Turqia përdor për fushatën e vazhdueshme ushtarake në Siri.

Ankaraja është e zemëruar nga alaeanca e Uashingtonit me forcat kurde në Siri, të cilat edhe janë cak i ofensivës së saj.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, është zotuar se do ta çrrënjosë milicinë kurde nga kufiri jugor i Turqisë, gjë që mund të çojë në konfrontimin e forcave turke me forcat amerikane në Siri.

“E kemi nënshkruar propozimin e nevojshëm për të ndryshuar emrin e rrugës Nevzat Tandogan, përpara ambasadës amerikane, në ‘Dega e Ullirit’”, tha kryebashkiaku i Ankarasë, Mustafa Tuna, në një postim në Twitter.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ankara nuk e ka komentuar ende këtë veprim, raporton Reuters.

Të enjten, në kryeqytetin turk do të qëndrojë sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.

Sipas një sondazhi të publikuar të hënën nga Qendra për Përparimin Amerikan, 83% e turqve i shohin Shtetet e Bashkuara si të pafavorshme, ndërsa 46% mendojnë se vendi i tyre duhet të bëjë më shumë për t’iu kundërvënë atyre.

XS
SM
MD
LG