Ndërlidhjet

Tillerson: SHBA-ja e njeh të drejtën e Turqisë për mbrojtjen e kufijve


Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, foto nga arkivi

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka thënë se Shtetet e Bashkuara e njohin të drejtën legjitime të Turqisë për të mbrojtur kufijtë e saj.

Ai i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi në Ankara me qëllim të uljes së tensioneve në mes të dy aleatëve të NATO-s.

Pasi ka biseduar me ministrin e Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, Tillerson i ka bërë thirrje Ankarasë të tregojë përmbajtje gjatë operacioneve në rajonin Afrin të Sirisë dhe të mënjanjojë hapa që mund të përshkallëzojnë tensionet.

Duke folur në konferencën e njëjtë për media, Cavusoglu, ka thënë se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara janë pajtuar për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve bilaterale, duke premtuar krijimin e “mekanizmave” për të diskutuar çështjet problematike.

Turqia është e zemëruar për mbështetjen e Uashingtonit ndaj milicëve kurdë, të njohur si Njësitet për Mbrojtjen e Popullit (YPG).

Turqia e konsideron YPG-në si grup terrorist, të lidhur me rebelët kurdë që luftojnë brenda Turqisë.

Mirëpo YPG ka qenë aleatja kryesore e SHBA-së, në luftimin e grupit ekstermist, Shteti Islamik në Siri.

Tillerson është takuar më 15 shkurt me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për më shumë se tri orë.

Në fund të dy palët kanë thënë se diskutimi ka qenë produktiv mirëpo jovendimtar.

XS
SM
MD
LG