Ndërlidhjet

Kremlini: Nuk ka dëshmi se shteti rus ka ndërhyrë në zgjedhjet amerikane


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, foto nga arkivi

Kremlini ka njoftuar sot, se akuzat amerikane kundër 13 rusëve dhe tri kompanive po ashtu ruse, për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, nuk kanë treguar asnjë dëshmi për këto supozime, transmeton Reuters.

Këto kanë qenë komentet e para të Kremlinit, pas padive të ngritura nga zyra e këshilltarit special të SHBA-së, Robert Mueller.

Paditë kanë treguar më detajisht, për propagandën ruse dhe komplotet e zhvilluara, me qëllim të mbështetjes së presidentit aktual, Donald Trump dhe dëmtimit të demokrates, Hillary Clinton.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se, këto padi kanë specifikuar disa individë rusë dhe nuk kanë ofruar të dhëna, se Kremlini apo agjencitë e qeverisë ruse të kenë qenë të përfshira.

“Ata janë duke folur për qytetarë rusë, mirëpo ne kemi dëgjuar njoftime nga Uashingtoni për akuza për ndërhyrje të shtetit rus, Kremlinit apo qeverisë ruse”, u ka thënë Peskov gazetarëve në konferencë përmes telefonit.

“Nuk ka të dhëna se shteti rus të ketë qenë i përfshirë dhe as nuk do të ketë ndonjëherë. Rusia nuk është përzier, madje as nuk e ka një zakon të tillë, që të ndërhyjë në çështje të brendshme të shteteve tjera”, ka thënë ai.

Kremlini ka kundërshtuar vazhdimisht supozimet, se Rusia ka tentuar të ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve në SHBA.

Peskov i ka cilësuar sot këto akuza, të pabaza dhe të padrejta.

XS
SM
MD
LG