Ndërlidhjet

Thaçi ka pritur senatorin Jonson


Foto nga takimi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim senatorin amerikan, Ron Johnson, të cilin e ka falënderuar për mesazhet dhe urimet për 10 vjetorin e pavarësisë, ka njoftuar Zyra e Presidentit të Kosovës.

Në një komunikatë për medie të kësaj zyre thuhet se presidenti i Kosovës, Thaçi ka shprehur mirënjohjen “për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, e cila ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.

“Mesazhet dhe urimet e presidentit Trump janë inkurajuese, për të punuar edhe më shumë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Gjithashtu, në komunikatë është thënë se presidenti Thaçi e ka informuar senatorin Johnson për konsensusine krijuar lidhur me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për domosdoshmërinë e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, si dhe ka kërkuar mbështetjen e SHBA-së për këto tema.

Në anën tjetër, "senatori Johnson ka ofruar mbështetjen e plotë në të gjitha fushat për Kosovën", thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentit të Kosovës.

XS
SM
MD
LG