Ndërlidhjet

BE i bën thirrje Moldavisë të shtyjë përpara reformat dhe të luftojë korrupsionin


Flamuri i Moldavisë dhe i BE-së
Flamuri i Moldavisë dhe i BE-së

Bashkimi Evropian po i bën thirrje Moldavisë që të shtyjë përpara reformat juridike dhe të ndërmarrë një luftë më “të vendosur ndaj korrupsionit”. Kështu thuhet në një draft, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë.

Në këtë draft BE-ja shpreh shqetësimin e saj lidhur me ndjekjen penale ndaj avokatëve, gjyqtarëve dhe kundërshtarëve politikë dhe “përdorimit selektiv” të procedurave të zbatimit të ligjit dhe drejtësisë, të cilat, siç thotë, dëmtojnë “respektin dhe besimin e publikut në sistemin juridik”.

Drafti i hartuar nga Këshilli për Çështje të Jashtme i BE-së, do t’i prezantohet ministrave të Jashtëm të bllokut për miratim më 26 shkurt.

Vërejtjet e paraqitura në këtë dokument reflektojnë kërkesat që tash e sa kohë BE-ja i ka ndaj Moldavisë, që ky shtet të bëjë reforma thelbësore në sistemin gjyqësor dhe të luftojë korrupsionin.

Në tetor të vitit 2017, BE-ja kishte thënë se nuk do të transferonte këstin e fundit të kredive në vlerë prej 28 milionë eurosh, prë të mbështetur rivendosjen e sistemit të drejtësisë, duke thënë se autoritetet moldave nuk kanë përmbushur kriteret e bllokut për të marrë këto para.

Dërgimi i fondeve të tjera të BE-së, përfshirë këtu edhe paketën e ndihmës mikrofinanciare në vlerë prej 100 milionë eurosh, është vonuar gjithashtu.

Një burim, që ka njohuri me këtë çështje, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pagesat e para në këtë paketë fondesh mund të bëhen në prill, dhe se varet nga reformat që do të bëjë Moldavia sa i përket gjyqësorit, medias dhe reformës elektorale.

Në draft nuk thuhet në mënyrë specifike, por aty thuhet se “Këshilli rikujton se ndihma e BE-së për Moldavinë është e bazuar në kushte strikte dhe lidhet me përparimin e kënaqshëm në reforma”.

Ky dokument përmend po ashtu edhe mungesën e hetimeve për mashtrimet në banka më 2015, ku si pasojë u zhdukën një miliard euro nga vendi. Drafti po ashtu kritikon një ligj për sistemin zgjedhor, që është miratuar nga ligjvënësit dhe është nënshkruar nga presidenti Igor Dodon, pavarësisht protestave masive në Moldavi dhe kritikave të BE-së dhe SHBA-së.

XS
SM
MD
LG