Ndërlidhjet

Përshëndetet projekti i gazsjellësit që hap korridorin mes Azisë Qendrore dhe Jugore


Nisur nga e djathta, kryeministri pakistanez, Shahid Khaqan Abbasi, presidenti afgan, Ashrag Ghani, presidenti i Turkmenistanit, Kurbanguly Berdymukhamedov dhe ministri indian për çështje të Jashtme, M.J. Akbar, në ceremoninë e inaugurimit të gazsjellësit

Liderët e Afganistanit, Pakistanit dhe Turkmenistanit kanë thënë se gazsjellësi që është duke u ndërtuar në territoret e këtyre vendeve është fillimi i një korridori të ri në fushën e energjisë dhe komunikimit, duke lidhur Azinë Qendrore me Azinë Jugore.

“Azia Jugore është duke u lidhur me Azinë Qendrore përmes Afganistanit pas më shumë se një shekulli ndarje”, ka thënë presidenti, afgan, Ashraf Ghani në ceremoninë e inaugurimit të gazsjellësit që do të bart gazin e Turkmenistanit për në Azinë Jugore.

Kryeministri i Pakistanit, Shahid Khaqan Abbasi, ka thënë se gazsjellësi do të ndikojë në zhvillimin e rrjeteve të tjera të rrugëve, hekurudhave dhe komunikimeve në mes të këtyre vendeve.

“Gazsjellësi do të ndikojë në zhvillimin e korridoreve të energjisë dhe komunikimit”, ka thënë ai.

Ky projekt përfshin Turkmenistanin, Afganistanin, Pakistanin dhe Indinë, ndërsa mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe Banka Aziatike për Zhvillim.

Turkmenistani ka përshëndetur këtë projekt, përmes së cilit, ky vend mund të transportojë gaz në tregjet botërore.

Aktualisht Turkmenistani shet gaz vetëm në Kinë, ndërsa ka filluar punimet për këtë projekt në vitin 2015.

Mirëpo puna është zgjatur në pjesën në jug të Afganistanit, përkatësisht në zonat e kontrolluara nga talibanët, që luftojnë forcat qeveritare në Kabul.

Pavarësisht kësaj, më 23 shkurt, talibanët kanë deklarauar se përkrahin bashkëpunimin, duke thënë se ky gazsjellës është element i rëndësishëm në ndërtimin e infrastrukturës ekonomike të Afganistanit.

“Nuk do të ketë vonesë në këtë projekt shumë të rëndësishëm kombëtar”, është thënë në deklaratë.

Mbështetësit e gazsjellësit 1,800 kilometra, kanë thënë se i njëjti do të lehtësojë mungesat e energjisë në Azinë Jugore dhe do të ndihmojë në uljen e tensioneve në rajonin e ndarë.

Zyrtarët afganë kanë thënë se Kabuli do të fitojë rreth 500 milionë dollarë brenda vitit dhe se projekti do të kontribuojë në krijimin e mijëra vendeve të punës.

XS
SM
MD
LG