Ndërlidhjet

Presidenti çek kërkon ekstradimin e një hakeri në Rusi në vend të SHBA-së


Presidenti rus, Vladimir Putin (djathtas) së bashku me presidentin çek, Milosh Zeman, foto nga arkivi

Presidenti çek, Milosh Zeman ka lobuar vazhdimisht që hakeri rus i ndaluar në Pragë dhe i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, të ekstradohej në Rusi, është cituar të ketë thënë ministri çek i Drejtësisë, Robert Pelikan.

Ish-komunisti 73 vjeçar, Zeman, me qasje pro-ruse, pro-kineze dhe anti-myslimane, ka fituar muajin e kaluar një tjetër mandat presidencial.

Yevgeni Nikulin, 30 vjeçar, që kërkohet nga Shtetet e Bashkura për supozimet rreth sulmeve kibernetike në rrjetet sociale, gjendet aktualisht në burg, pasi ishte arrestuar nga policia çeke në Pragë, në tetor të vitit 2016.

Operacioni i arrestimit të tij ishte kryer së bashku me FBI-në.

Në majin e vitit të kaluar, gjykata në Pragë ka vendosur se Nikulin mund të ekstradohet ose në SHBA ose në Rusi, mirëpo vendimin përfundimtar e ka lënë në duart e ministrit të Drejtësisë, Robert Pelikan.

“Është e vërtetë se kanë ndodhur dy takime gjatë këtij viti, në të cilat presidenti Zeman më ka kërkur që qytetarin rus ta ekstradojë në Rusi dhe jo në SHBA”, ka thënë Pelikan për aktualne.cz.

Zëdhënësi i Zemanit, Jiri Ovcacek nuk ka pranuar të komentojë në këtë çështje.

Pas arrestimit të Nikulinit, Moska ka akuzuar Uashingtonin për ngacmim të qytetarëve të saj dhe ka premtuar se do të luftojë për ekstradimin e Nikulinit.

Shtetet e Bashkuara e kërkojnë Nikulinin bazuar në disa akuza që përfshijnë dhe vjedhjen e identitetit.

XS
SM
MD
LG