Ndërlidhjet

Estonia shënon 100 vjetorin e deklarimit të pavarësisë


Pamja nga festimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Estonisë

Estonia është duke festuar sot 100 vjetorin e deklarimit të pavarësisë, me festime të shumta në rrugë dhe një paradë ushtarake në kryeqytetin Tallinn.

Festimet kanë nisur sot nën flamurin e kaltër të zi dhe të bardhë.

Ashtu sikur fqinjtë e saj, Lituania dhe Letonia, Estonia ka qenë pjesë e Mbretërisë Ruse dhe Rusisë Sovjetike para se të deklaronte pavarësinë 100 vite më parë.

Shteti i vogël ishte okupuar nga Bashkimi Sovjetik më 1940, ndërsa nga Gjermania për tri vite gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vendi ka rifituar pavarësinë në gusht të vitit 1991 dhe është anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe në NATO më 2004.

Gjatë paradës së ditës së sotme, presidenti, Kersti Kaljulaid ka shikuar trupat, në mesin e të cilëve ka pasur edhe njësite të NATO-s, që janë të stacionuara në Estoni.

“Pavarësia e Estonisë është më e mbrojtur se kurrë më parë, pasi kemi miqtë dhe aleatët”, ka thënë presidenti i parlamentit, Eiki Nestor.

Kryeministri, Juri Ratas, u ka bërë thirrje qytetarëve të mos harrojnë kurrë paraardhësit që kanë themeluar republikën e tyre.

Përmes një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson ka uruar Estoninë dhe popullinë e saj, duke thënë se ky shtet është “aleat vital i Shteteve të Bashkuara dhe marrëdhëniet tona janë më të forta se kurrë më parë”.

Më 3 prill, presidenti amerikan, Donald Trump do të mirëpresë presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, “për të krijuar hapësirën për marrëdhënie edhe më të forta në mes të Shteteve të Bashkuara dhe këtyre tre aleatëve të rëndësishëm”, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë gjatë kësaj jave.

XS
SM
MD
LG