Ndërlidhjet

Informatori rus paralajmëron Komitetin Olimpik për programin e dopingut


Grigory Rodchenkov, foto nga arkivi
Grigory Rodchenkov, foto nga arkivi

Informatori, Grigory Rodchenkov, ka paralajmëruar se lejimi i atletëve rusë që të parakalojnë me flamurin e tyre kombëtar në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore më 25 shkurt, do të ishte “vendimi i keq”.

Në një intervistë për BBC-në, Rodchenkov ka thënë se Komiteti Ndërkombëtar Olimpik (IOC) po përballet me “momentin më të rëndësishëm në historinë e tij”, kur do të vendosë nëse delegacioni rus do të marshojë nën flamurin rus në ceremoninë që do të mbahet në Pjongçang.

Rusisë i është ndaluar pjesëmarrja në këto lojëra, për siç ka thënë Komiteti, programin sistematik të dopingut në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2014 që janë mbajtur në Soçi.

Pavarësisht kësaj 169 rusë janë lejuar të garojnë nën flamurin olimpik në lojërat e këtij viti.

Bordi ekzekutiv i këtij Komitetit, ka shtyrë vendimin për datën 25 shkurt, për atë nëse do të heqë ndalesën për Rusinë, në ceremoninë e mbylljes së lojërave.

Rodchenkov, i cili ka qenë ish-drejtor i laboratorit anti-doping në Rusi, ka organizuar sistemin e dopingut rus para se të ikte në Shtetet e Bashkuara më 2016.

Pasi është nisur drejt SHBA-së, ai ka ofruar këto të dhëna tek hetuesit.

Zyrtarët rusë kanë kundërshtuar vazhdimisht ndërhyrjen e shtetit në doping.

BBC ka thënë se ka udhëtuar në një lokacion sekret në SHBA, për ta intervistuar Rodchenkov, i cili gjendet nën mbrojtje amerikane.

Ai ka ripërsëritur pretendimet e tij se vetëm ka qenë pjesë e një sistemi të dopingut, në të cilin ka qenë pjesëmarrës edhe vet shteti i Rusisë duke përfshirë presidentin rus, Vladimir Putin dhe Vitaly Mutko, që atë kohë ka qenë ministër i sportit.

“Absolutisht, unë vetëm kam përcjellur udhërat. Kemi qenë ekip. Shërbimi i Sigurisë së Rusisë ka qenë i përfshirë kur neve na është dashur të koordinohemi”, ka thënë ai.

“Mutko i ka ditur të gjitha dhe ai i ka raportuar presidentit”, ka thënë ai.

“Unë e di që ai i ka raportuar Putinit, ai më ka treguar për këtë gjë”, ka shtuar informatori.

Putin ka kundërshtuar vazhdimisht pretendimet e Rodchenkos, ndërsa muajin e kaluar e ka cilësuar si një “torollak”, të cilit nuk duhet besuar.

XS
SM
MD
LG