Ndërlidhjet

Delegacioni i Koresë V. niset drejt ceremonisë së Pjongçangut


Ish-gjenerali i Koresë Veriore, Kim Yong Chol, foto nga arkivi

Një delegacion i lartë nga Koreja Veriore, i udhëhequr nga një ish-gjeneral kontravers, ka kaluar kufirin në Korenë Jugore për të ndjekur ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang.

Në mesin e delegacionit është edhe ish-gjenerali, Kim Yong Chol, i cili akuzohet nga Seuli se ka planifikuar fundosjen e një luftanije jug-koreane, që cila ka rezultuar me vdekjen e 46 personave.

Kim është ish-udhëheqës i agjencisë së Inteligjencës në Korenë Veriore ndërsa tani është nënkryetar e komitetit qendror të Partisë së Punëtorëve.

Ka pasur spekulime se anëtarët e delegacionit të Koresë Veriore, mund të takohen me delegacionin e Shteteve të Bashkuara, në kuadër të ceremonisë mbyllëse.

Vajza e presidentit amerikan, Donald Trump, Ivanka Trump, e cila shërben si këshilltare në Shtëpinë e Bardhë, ka arritur në Korenë Jugore për të shikuar ceremoninë.

Koreja Jugore ka tentuar që përdorë pjesëmarrjen e Koresë Veriore në Lojërat Olimpike Dimërore, si mënyrë për të ulur tensionet në Gadishull.

Koreja Veriore është përballur me kundërshtime ndërkombëtare për testimin e programit bërthamor dhe atij të raketave balistike, duke shkelur rezolutën e Kombeve të Bashkuara.

Më 23 shkurt, Shtetet e Bashkuara e kanë goditur këtë vend me sanksione të reja ndaj 50 anijeve dhe kompanive, për të cilat administrata amerikane ka thënë se po i ndihmojnë Phenianit për të shmangur sanksionet ekzistuese të lidhura me programin e armëve.

XS
SM
MD
LG