Gjykata e Apelit e Kosovës, ka ndërprerë masën e paraburgimit ndaj të akuzuarve Atdhe Arifi,Frashër Krasniqi dhe Egzon Haliti, të cilët do mbrohen në liri.
Këta të tre, se bashku më të akuzuarën Adea Batusha, po akuzohen nga ana e Prokurorisë Speciale për veprën penale “Kryerja e veprës penale terroriste” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Në një komunikatë për media të Gjykatës së Apelit thuhet se “Kolegji Penal i kësaj gjykate, duke vendosur lidhur më ankesën e Prokurorisë Speciale dhe ankesat e mbrojtësve të akuzuarve, të paraqitura kundër aktgjykimit të shkallës së parë, sot vendosi edhe për çështjen e paraburgimit, ndaj të akuzuarve, dhe vlerësoj se tanimë kanë pushuar arsyet ligjore që ata të qëndrojnë në paraburgim” .
"Ky aktvendim ka të bëjë vetëm me ndërprerjen e masës së paraburgimit. Gjykata brenda afatit ligjor, do bëjë publike edhe vendimin e saj lidhur më ankesat e palëve kundër aktgjykimit, thuhet në komunikatë.
Gjykata Themelore në Prishtinë në nëntor të vitit 2017 dënoi me 21 vjet burg aktivistët Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti.