Ndërlidhjet

Turqia merr kontrollin e shkollave afgane të lidhura me Gulenin


Nxënësit në një shkollë të udhëhequr nga organizata afgano-turke ACTE
Nxënësit në një shkollë të udhëhequr nga organizata afgano-turke ACTE

Turqia ka marrë nën kontroll 12 shkolla në Afganistan, të cilat udhëhiqen nga organizata që ka lidhje me klerikun fetar, Fetullah Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e fajëson për tentim-puçin e vitit 2016.

Shkollat afgano-turke, tash do të udhëhiqen nga fondacioni shtetëror turk për edukim Maarif, pavarësisht kundërshtimeve të studentëve afganë dhe prindërve të tyre.

Kjo lëvizje ndaj organizatës joqeveritare ATCE, që udhëheq shkollat, duket se është pjesë e fushatës turke kundër mbështetësve të Gulenit.

Organizata ATCE, operon me shkolla në disa qytete afgane, përfshirë Kabulin, Mazar-e Sharif, Kandahar dhe Herat, që prej vitit 1995.

Ministri i Edukimit në Turqi, Ismet Yilmaz dhe homologu i tij afgan, Mohammad Ibrahim Shinwari, kanë marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të drejtimit të këtyre shkolla.

Pas marrjes së udhëheqjes së shkollave, Turqia ka premtuar se do të dyfishojë numrin e shkollave turke në Afganistan, do të dërgojë mësues të kualifikuar dhe ndihmesa të tjera për studentët afganë.

XS
SM
MD
LG