Ndërlidhjet

K.Jugore planifikon nisjen e një të dërguari në K.Veriore


Presidenti jugkorena, Moon Jae-in, foto nga arkivi
Presidenti jugkorena, Moon Jae-in, foto nga arkivi

Koreja Jugore planifikon nisjen e një të dërguari në Korenë Veriore në përgjigje të një ftese të liderit verikorean, Kim Jong Un, i ka thënë presidenti jugkorean, Moon Jae-in, homologut të tij amerikan, Donald Trump, përmes një bisede telefonike.

Të dy presidentët kanë diskutuar për vizitën e fundit të zyrtarëve të lartë verikoreanë në Korenë Jugore, ka njoftuar presidenca e këtij shteti, transmeton Reuters.

Lojërat Olimpike Dimërore i kanë dhënë një shtyrje lidhjeve në mes të dy Koreve, pas më shumë se një viti të tensioneve në rritje, për shkak të programit dhe testimit të raketave në Korenë Veriore.

“Moon dhe Trump janë pajtuar për të vazhduar përpjekjet për denuklearizimin e Gadishullit Korean, duke shfrytëzuar momentin e dialogut mes dy Koreve”, ka thënë presidenca jugkoreane.

Zyrtarët e lartë nga Pheniani që kanë vizituar Korenë Jugore në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike Dimërore, kanë thënë se qeveria e tyre është e hapur për bisedime me Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se çdo diskutim me Korenë Veriore duhet të ketë kusht kryesor përfundimin e programit bërthamor.

Moon i ka bërë thirrje Koresë Veriore dhe Shteteve të Bashkuara për të biseduar në zgjidhjen e çështjes së programit të armëve të Phenianit, për të cilin lideri verikorean ka thënë se nuk do ta braktisë kurrë.

XS
SM
MD
LG