Ndërlidhjet

Trump dhe Merkel të shqetësuar pas deklaratave të Putinit për armët


Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, foto nga arkivi
Presidenti amerikan, Donald Trump dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, foto nga arkivi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti amerikan, Donald Trump kanë shprehur shqetësimet e tyre pas njoftimeve të presidentit rus, Vladimir Putin se shteti i tij ka pozicionuar apo është duke zhvilluar armë të reja bërthamore.

Merkel dhe Trump kanë thënë se armët do të kenë një ndikim negativ në “përpjekjet ndërkombëtare për kontrollin e armëve”, është thënë në një deklaratë të qeverisë gjermane gjatë ditës së sotme.

Në fjalimin e tij të parë para kombit këtë vit, Putin ka thënë se Rusia ka zhvilluar armë të reja, duke pretenduar se disa prej tyre kanë kapacitet të arrijnë në çdo pjesë të botës dhe të tejkalojnë mbrojtjen amerikane anti-raketore.

Duke reaguar pas deklaratave të Putinit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders ka thënë se Rusia me dekada ka zhvilluar sisteme destabilizuese të armëve, duke shkelur obligimet e traktatit të saj.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka hedhur poshtë deklaratat se Rusia është duke prishur ndonjë pakt ndërkombëtar për kontrollin e armëve.

Peskov po ashtu ka thënë se fjalimi i Putinit nuk do të rrisë izolimin ndërkombëtar të Rusisë dhe nuk ka dhënë mesazhin e një gare të re për armët.

“Rusia nuk planifikon të jetë pjesë e ndonjë gare të armëve”, ka thënë Peskov.

XS
SM
MD
LG