Ndërlidhjet

Rohani premton se grave do t'iu lejohet hyrja në stadiumet e Iranit


Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, foto nga arkivi

Shefi i FIFA-s, Gianni Infantino, ka thënë se presidenti iranian, Hassan Rohani i ka premtuar se shumë shpejt gratë do të lejohen që të shikojnë ndeshjet e futbollit në stadiume, ndonëse kjo gjë “mund të marrë pak kohë”.

“Më është premtuar se shumë shpejt gratë në Iran do të kenë qasje në stadiumet e futbollit”, ka thënë Infantino sot në selinë e FIFA-s në Cyrih.

“Ai më ka thënë se në shtetet siç është Irani, këto gjëra mund të marrin pak kohë”, ka shtuar ai.

Këto deklarata kanë ardhur pasi ministria e Brendshme iraniane, ka thënë se rreth 35 grave u është ndaluar hyrja në stadiumun Azadi në Teheran, më 1 mars.

Grupi iranian OpenStadiums, i cili bën fushatë për të drejtat e grave në organizimet sportive, ka thënë se disa gra janë arrestuar afër stadiumit.

Zëdhënësi i ministrisë së Brendshme, Salman Samani është cituar t’i ketë thënë agjencisë së lajmeve ISNA, se gratë nuk janë arrestuar mirëpo vetëm janë transferuar në “një zonë adekuate” nga policia.

Infantino ka thënë se ka takuar Rohani gjatë një vizite më 1 mars në Teheran.

Në këtë vizitë ai ka pranuar kritika për të drejtat e grave.

Ai ka thënë se udhëtimi në Iran, “mund t’iu ndihmojë shumë grave në botë”.

Irani në të kaluar ka injoruar thirrjet nga FIFA për të hapur stadiumet edhe për gratë.

XS
SM
MD
LG