Ndërlidhjet

Krocia premton mbështetje për Kosovën drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe homologia e tij nga Kroacia, Marija Pejçinoviq – Buriq, foto nga arkivi
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe homologia e tij nga Kroacia, Marija Pejçinoviq – Buriq, foto nga arkivi

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli ka pritur në takim homologen e tij nga Kroacia, Marija Pejçinoviq – Buriq me të cilën ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimit në mes të dy shteteve, ka njoftuar kjo ministri përmes një komunikate.

Pacolli ka deklaruar se Kroacia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm i Kosovës drejt integrimit euro-atlantik dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

“Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë janë të shkëlqyeshme. Kroacia ka qenë gjithmonë zë i fuqishëm i Kosovës dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen”, ka thënë Pacolli.

Pejçinoviq – Buriq, ka vlerësuar të arriturat e shtetit të Kosovës, si dhe ka premtuar vazhdimin e angazhimit të shtetit kroat për ta mbështetur Kosovën.

“Kosova ka bërë shumë hapa, është një shtet i respektuar, por ka ende sfida. Kroacia është e gatshme të ndihmojë Kosovën në këto sfida”, ka thënë ajo, duke shtuar se “dy shtetet kanë marrëdhënie politike të shkëlqyeshme”.

Në këtë drejtim, ajo ka përmendur edhe fusha të caktuara, ku të dyja shtetet mund të bashkëpunojnë, sikurse fusha e energjisë dhe telekomunikacioni.

Në fund, Pejçinoviq – Buriq ka shprehur përkushtimin e Kroacisë për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj të integrimit euro-atlantik, anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe në procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës.

XS
SM
MD
LG